Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka deklaruar se kryetari aktual i Partisë Demokratike Lulzim Basha është peng i kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.
“Ai [Basha] është peng i Ramës dhe ambasadores Yuri Kim. Është marrë peng nga dosjet e krimit”, ka thënë Berisha për televizionin KTV.
Gjatë bashkëbisedimit në emisionin Java Sonte me Ronin, ish-lideri i PD-së ka përmendur burgun derisa ka folur për Bashën.
“Ju e dini lobistin Nick Musin, ajo është një dosje që e ndjek sot dhe do ta ndjek gjithë jetën Bashën. Musin doli në dosje për rikthimin e Fetullah Gulenit. Ai kërkonte të fliste për Bashën, kishte tri akuza për të, njëra prej tyre ishte shpëlarja e parave”, ka thënë Berisha.
“Edhe FBI-ja e kishte nën hetim. E vërteta është që nga ajo kohë, Basha nuk ka shkelur në SHBA. Basha kishte dy zgjidhje kur erdhi ajo dosje, burg këtu [Shqipëri], burg atje [SHBA], ose të bëhet peng i Ramës dhe Kimit.”
Gjatë vitit të kaluar, Berisha u shpall person non-grata nga Shtetet e Bashkuara.
Për këtë, Berisha ka fajësuar George Sorosin duke thënë se nuk ka “asgjë personale me këtë person, por është një nga kontribuuesit kryesor të vendosjes së monizmit në Shqipëri”.