PDK, LDK dhe AAK janë bërë bashkë për të kundërshtuar Qeverinë në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Të mërkurën, në Kuvendin e Kosovës dështoi të miratohet rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Vetëm 30 deputetë morrën pjesë në votim, duke mos ofruar kuorumin e mjaftueshëm.
Pas kësaj, përfaqësuesit e tri partive kryesore parlamentare mbajtën konferencë të përbashkët për media.
“Nuk votuan një rezolutë e cila do t’i kërkonte ZRrE-së si institucion që i jep llogari Kuvendit të Kosovës të mos vazhdojë me një politikë të tillë, prandaj ne nuk kishim si të vazhdonim më tutje në seancë e cila është krejt e parëndësishme në raport me atë të cilën e prezantuam ne si grupe parlamentare të opozitës”, ka thënë Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Siç transmeton Kallxo.com, deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se do ta kundërshtojë këtë vendim me të gjitha masat e mundshme demokratike.
Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se mos pjesëmarrja e LVV-së në votim të rezolutës e dështoi atë dhe se sipas tij ajo rezolutë është rekomanduese dhe do ta ndihmonte situatën.