NATO nuk do të dërgoj trupa luftarake në Ukrainë në rast se ky vend futet në luftë me Rusinë, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i aleancës.
“Ne nuk planifikojmë të dërgojmë trupa luftarake të NATO-s në Ukrainë… ne jemi duke u fokusuar në ofrim të mbështetjes”, ka thënë Stoltenberg gjatë një interviste për BBC.
Komentet e Stoltenbergut kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të NATO-s dhe Moskës, pasi Rusia ka pozicionuar më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit të Ukrainës, çka ka rritur shqetësimet për pushtim.
“Ka dallim në mes të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe një vendi të vlefshëm partner siç është Ukraina”, ka thënë Stoltenberg, transmeton REL.
Ukraina synon anëtarësimin në NATO por ende nuk ka plan veprimi për anëtarësim, çka do t’i prezantonte kushtet për t’u bërë pjesë e saj.
NATO-ja ka thënë se është e përgatitur për të rritur prezencën në vendet anëtare të Evropës Lindore nëse Rusia pushton Ukrainën dhe disa vende anëtare të aleancës kanë ofruar pajisje ushtarake për Kievin.