Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar në rrjetet sociale se për çfarë është biseduar në takimin e tij me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
Të hënën, Lajçak bashkë me Përfaqësuesin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takuan zonjën Osmani me të cilën diskutuan për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në vend.
“Bashkë me DAS Escobar takova Presidenten Vjosa Osmani dhe ndër të tjera u pajtuam për nevojën që të shpejtohet puna në zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Gjatë po të njëjtës ditë, të dy diplomatët u takuan edhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Pas takimit, Lajçak theksoi se me Kurtin është biseduar për “rrugët më të mira” në dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve gjatë këtij viti.
Takimi i radhës i Lajçak dhe Escobar ishte me zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe temë kryesore e takimit ishin çështjet praktike të dialogut. Lajçak njoftoi se me Bislimin u bisedua edhe për përgatitjet për takimet e radhës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, gjatë ditës së martë, takimet vazhduan me liderët e partive kryesore opozitare.
Në njoftimin e tij në Twitter, Lajçak theksoi se është ndarë i kënaqur pasi ka dëgjuar mirëkuptimin e tyre për rëndësinë e dialogut.