Gjermania ka dhënë mesazh të fortë kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor duke caktuar si të dërguar të posaçëm për rajonin ish-deputetim e të gjelbërve Manuel Sarrazin.
Vitin e kaluar, ishte pikërisht Sarrazin ai që deklaroi fuqishëm se kufijtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor “janë të pacenueshëm dhe duhet të mbesin të tillë”.
Për debatin se a duhet të ketë shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, Sarrazini kishte thënë se do të ketë tentativa për ringjallje të diskutimeve edhe pas largimit të Angela Merkelit. Megjithatë kishte shtuar qëndrimin e qartë se Të Gjelbrit kanë “qëndrim të qartë” kundër.
Ndrësa, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të premten i dha mbështetje Sarrazinit në funksionin e ri.
Siç transmeton KOHA, ajo deklaroi se Ballkanit Perëndimor i duhet një përkrahje më e fuqishme nga BE-ja dhe se s’ka pasur njeri më të mirë që ka mundur të merrte detyrën në fjalë.
Sarrazin ka deklaruar në të kaluarën se BE-ja duhet të ketë zë më të fuqishëm kundërshtues ndaj ideve për ndarje në rajonin e Ballkanit. Derisa për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ai kishte deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se po punon që sa më shpejt të ndodhë liberalizimi.