Kombet e Bashkuara kanë dënuar luftën e Rusisë në territorin e Ukrainës.
Të mërkurën, Asambleja e Përgjithshme e KB-ve dënoi sulmet ruse dhe kërkoi nga Moska të ndalë luftimet dhe të largoj forcat ushtarake nga territori i Ukrainës.
Rezoluta, e mbështetur prej 141 nga 193 vendet anëtare, transmeton VOA.
Edhe Serbia votoi këtë rezolutë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën në mbrëmje se vendi i tij nuk do të dërgojë armë në Ukrainë dhe as nuk do të lejojë kalimin e armëve “që dërgohen në zonat e luftës”.
Teksti i rezolutës “dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”. Sipas faqes së internetit të OKB-së, hera e fundit që Këshilli i Sigurimit të OKB-së thirri një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982.
Tridhjetë e pesë vende anëtare përfshirë Kinën abstenuan dhe pesë vende, përfshirë Rusinë, Sirinë dhe Bjellorusinë votuan kundër rezolutës.