Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se duhet të ketë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, diplomatja gjermane tha para gazetarëve në Prishtinë se ‘për vendimet e vështira kërkohet guxim’.
“Një nga përparësitë është forcimi i besimit në rajon. Na duhen përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime gjatë luftës do të përcillen me gjenerata. Ne do të marrim përgjegjësi dhe kërkohet guxim për vendime të vështira”, ka deklaruar Baerbock.
Sic transmeton RTK, sa i përket liberalizimit të vizave Baerbock ka thënë se “Kosova në këtë drejtim e ka bërë punën e saj dhe tani i mbetet BE-së që ta bëjë punën e saj”.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti tha se ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për reforma në punësim dhe drejtësi. Ai ka thënë se Kosovës i duhen më shumë fonde nga BE-ja.
“Kosova është shtet evropian e cila i jep shpresë gjithë Ballkanit. Në këtë drejtim na duhet ndihmë nga BE e që janë të domosdoshme që të ketë paqe në Ballkan”, është shprehur Kurti.