Presidentja Vjosa Osmani i ka dërguar letër Presidentit amerikan Joe Biden për t’i kërkuar ndihmë ‘aktive’ në procesin drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Në letrën e saj, Osmani ka shkruar se Kosova aktualisht është një faktor kyç në promovimin e stabilitetit rajonal dhe ka përmendur arritjet e shtetit në respektimin e demokracisë.
Sic transmetin ABC News, Osmani i ka shkruar Bidenit për rrethanat e reja të krijuara në Europë pas luftës në Ukrainë dhe urgjencën e Kosovës për të hyrë në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë qëllimi ynë, por sot – nën dritën e ngjarjeve të paprecedenta në kontinentin Europian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Europa është duke u përballur me kohërat më të errëta dhe të rrezikshme që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Derisa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë e një rëndësie kruciale. Argumentet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin rëndësinë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është e rrethuar nga tendencat në rritje autoritare dhe politikat e tyre agresive”, ka shkruar Osmani në letër.
Osmani ka shkruar se Kosova edhe pse është vendi më pro amerikan dhe më pro NATO në botë, megjithatë, edhe sot e kësaj dite “mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO’s, siç është Partneriteti për Paqe (PfP) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (A5)”.
“Ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA’ja do të përdorë lidershipin dhe ndikimin e saj për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën duke filluar me programin PfP dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut”.