Shtetet e Bashkuara i mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, por kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Përgjigjja nga Departamenti amerikan i Shtetit vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre që mban datën e 10 marsit, i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të shfrytëzojë “udhëheqjen dhe ndikimin, për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha për REL se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që “ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.
“Ne vazhdojmë ta mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo bën përparim të rëndësishëm dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili është zhvilluar me mbështetjen e SHBA-së, me qëllim të ndërtimit të një force mbrojtëse shumetnike, që nuk është vetëm në gjendje të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por edhe të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të saj”, tha zëdhënësi.
Lexo më shumë këtu