Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, duke votuar në komunat brenda territorit serb.

Kosova ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it rreth votimit të serbëve në territorin e saj për zgjedhjet e Serbisë.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike, një ditë më parë, tha se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Pas kësaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka anuluar të gjitha tubimet elektorale për ditën e martë, me arsyetimin se “situata në Serbi është e vështirë”, transmeton KOHA.

“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, ka thënë ai, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas sesionit të dytë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, të martën në mbrëmje, Vuçiq ka komentuar vendimin e Kosovës për të mos lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë. Sipas tij, Kosova ka kërkuar vetëm njohjen e pavarësisë dhe s’ka ofruar asnjë opsion tjetër.

Më 3 prill, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale për disa komuna, përfshirë Beogradin.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë, nëpërmjet së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *