Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për planin e largimit të të gjitha anternave satelitore të vjetra që gjenden nëpër ndërtesat e qytetit.
Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim nëpërmjet një komunikate të hënën i ka ftuar qytetarët për bashkëpunim.
Sipas Drejtorisë afati për largimin e antenave satelitore nga Prishtina do të jetë 90 ditë.
“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim fton qytetarët për bashkëpunim, duke larguar kështu antenat satelitore në ndërtesat e tyre të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve, për shkak se ato nuk mirëmbahen dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit. Afati për largimin e antenave satelitore në ndërtesat e Prishtinës do të jetë 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi. Në rast se nuk respektohet afati kohor për largimin e antenave satelitore, për largimin e tyre detyrohet të intervenojë Drejtoria e Inspeksionit. Prandaj, ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta respektojnë thirrjen e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në mënyrë që ta transformojmë Prishtinën në një qytet më të sigurt dhe modern”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.