Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë të mërkurën se ndihet optimist, pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse, në të cilat Moska ka thënë se do të zvogëlojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake afër Kievit dhe Çernihivit.
“Jam optimist për rundin e negociatave në Stamboll”, ka thënë Podolyak, duke iu referuar bisedimeve të së martës në Turqi.
Siq transmeton REL, Podolyak tha se sistemi i propozuar i garancive për sigurinë e Ukrainës, i cili do të ofrohet në këmbim të neutralitetit, do të vendoset në referendum, vetëm pasi trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që kanë mbajtur para nisjes së pushtimit në Ukrainë.
Kremlini, në anën tjetër, ka minimizuar shpresat se është arritur përparim në bisedime.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Megjithatë, ai ka thënë se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.