Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar të enjten se nga 1 prilli blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus.
“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga nesër,” tha Putin në një deklaratë televizive.
Pas kësaj, qeveritë dhe kompanitë e vendeve perëndimore kanë reaguar duke refuzuar kërkesën e Rusisë dhe duke konsideruar këtë vendim si prishje të kontratave në fuqi të cilat përcaktojnë pagesat përmes euros apo dollarit amerikan.
Gjermania – konsumatori më i madh evropian i gazit rus – tha se nuk do të shantazhohet. Ndërsa, Franca ka deklaruar se planifikon të ndërpres furnizimin me gazin rus, ndërkohë Kryeministri britanik Boris Johnson tha se pagesa me rubla nuk është diqka që do të konsiderohet.
Përtej oqeanit, Presidenti amerikan Joe Biden reagoi duke njoftuar për lëshimin e pashembullt të një milionë bareleve me naftë nga rezervat strategjike të SHBA-ve, gjë që do të bëhet çdo ditë përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm.