Shefi i politikës së jashte të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka propozuar Mirosllav Lajçakun për detyrën e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Burimet diplomatike në Bruskel e kanë konfirmuar këtë për Radion Evropa e Lirë, duke njoftuar se Borrell u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.
Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.