I dërguari i posaqëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë javës do të mbaj takim në Berlin me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ky takim është konfirmuar nga Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili ka deklaruar se takimi në Berlin do të jetë “joformal”.
“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë Stano, transmeton REL.
Ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar.
Në BE ka pasur disa përpjekje për të krijuar kushte për një takim të nivelit të lartë midis Kurtit dhe Vuçiqit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por deri më tani pa sukses.