Gjatë dy viteve të fundit, afër 15 milionë njerëz në botë vdiqën nga Covid-19 ose nga pasojat shëndetësore të shkaktuara nga pandemia.
Të dhënat janë publikuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që tregon për një numër të viktimave më shumë se dyfishi i numrit zyrtar prej 6 milionë viktima nga koronavirusi në tërë botën.
Drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifrat japin një pasqyrë të kthjellët, ndërsa shtoi se kjo duhet t’i nxisë vendet të investojnë për të shtuar kapacitetet e tyre në rast të urgjencave të ardhshme shëndetësore, transmeton VOA.
Shumica e vdekjeve janë identifikuar në Azinë Juglindore, Evropë dhe kontinentin amerikan.
Këto shifra bazohen në të dhënat e raportuara dhe modelin statistikor të organizatës, por vetëm rreth gjysma e vendeve ndanë informacionet e kërkuara. OBSH tha se ende nuk kishte arritur të zbërthente shifrat për të parë se sa është numri i vdekjeve direkte nga COVID-19 dhe atyre që humbën jetën si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia.