Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të informoj Kuvendin e Kosovës për atë çfarë është biseduar në takimin e së mërkurës me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë Bekim Çollaku nga Partia Demokratike e Kosovës.
Të mërkurën, Kurti dhe Vuçiq u pritën bashkë në një darkë joformale në Berlin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Duke marrë parasysh të kaluarën dhe qëndrimet e kryeministrin aktual karshi dialogut është një kapërcim i jashtëzakonshëm dhe një huqje totale nga ato principe dhe parime që ka pasur në të kaluarën krahasuar me tani,” ka thënë Çollaku për Klan Kosova.
“Mirëpo, kjo për mua duhet të përshëndetet sepse unë nuk dua që kryeministri i vendit tim të jetë një kokëfortë dhe të refuzojë procese të tilla të cilat kanë pasoja shtetërore dhe nacionale”.
Ish-ministri Qollaku ka kërkuar që Kryeministri Kurti të informoj parlamentin e vendit “në detaje” për bisedat që janë zhvilluar gjatë takimit në Berlin.