Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë indirekte i ka dërguar mesazh Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti që të veproj sipas kërkesave të Shteteve të Bashkuara.
“I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne” ka shkruar Thaçi në Facebook.
Këtë mesazh, presidenti Thaçi e ka nisur me një shkrim për 288 vjetorin e lindjes së presidentit të parë amerikan, George Washington.
“288 vjet më parë ka lindur George Washington, patrioti dhe drejtuesi i luftës për pavarësi, burrështetasi dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Figurës së tij si një prej themeluesve të SHBA-së dhe si president unifikues më të drejtë i është dhënë epiteti i pashmangshëm si “i pari i luftës, i pari i paqes dhe i pari në zemrat e qytetarëve amerikanë”. Ky personalitet historik ka tejkaluar përmasat amerikane dhe është bërë një referencë fuqiplotë e popujve liridashës. Jemi mirënjohës për rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lidhjet tona me SHBA-në janë shumë më të thella dhe tejkalojnë raportin e thjeshtë politik e institucional mes dy vendeve. Ato janë lidhje shpirtërore e historike të një raporti besimi dhe vlerësimi reciprok, që unifikohet nën parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve” ka shkruar, ndër të tjera, Thaçi.