Vendet e NATO-s po përgatisnin pushtimin e Donbasit dhe Rusia iu kundërvu në mënyrë parandaluese, ka deklaruar të hënën Presidenti rus Vladimir Putin.
Gjatë fjalimit të mbajtur në Sheshin e Kuq, në 77-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste, Putin e arsyetoi luftën në Ukrainë si mbrojtje të “tokave tona historike”.
“Dhjetorin e kaluar, ne propozuam një traktat mbi garancitë e sigurisë. Rusia i bëri thirrje perëndimit që të angazhohet në dialog të drejtë, të kërkojë zgjidhje të arsyeshme kompromisi duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit. Gjithçka ishte e kotë. Vendet e NATO-s nuk donin të na dëgjonin, në fakt ata kishin plane krejtësisht tjera. Dhe ne e pamë këtë”, tha ai, duke theksuar se “hapur po bëheshin përgatitje për një tjetër operacion ndëshkues në Donbas dhe një pushtim të tokave tona historike, përfshirë Krimenë”.
Putin iu drejtua ushtarëve që luftojnë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, të cilin Rusia është zotuar ta “çlirojë” nga kontrolli i Kievit.
“Ju po luftoni për atdheun, për të ardhmen e tij, që askush të mos harrojë mësimet e Luftës së Dytë Botërore. Që të mos ketë vend në botë për xhelatët dhe nazistët”, tha ai, transmeton VOA.
Lexo më shumë këtu