Bashkimi Evropian nuk ka komentuar aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, e ka theksuar se BE-ja nuk është anëtar i Këshillit të Evropës, derisa ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të ndihmojnë në normalizimin e raporteve.
“Ne nuk i komentojmë paralajmërimet dhe shprehjen e qëllimeve, e në anën tjetër nuk i komentojmë proceset e mundshme në institucionet tjera,” ka thënë Stano, transmeton REL.
“Ne, po ashtu, u bëjmë ftesë që të veprojnë me përmbajtje nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të çojë deri te tensionet.”
Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Në reagimin e tij, Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Serbia do ta kuptoj “nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj” pas votimit rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KE.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.