Bashkimi Evropian pret nga Serbia që t’i largoj të gjitha dyshimet dhe të përcaktohet në zgjedhjen e saj strategjike për integrimin evropian.
Pas një takimi të Ministrave të Jashtëm evropianë mbajtur të hënën në Bruksel, Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë.
“Të jesh neutral sot në lidhje me luftën në Ukrainë është një koncept i gabuar. Një shtet pushtoi një shtet tjetër dhe vendosja e tyre në një thes nuk bën dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit”, deklaroi Borrell, transmeton REL.
“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Këto të dy gjëra më nuk shkojnë në të njëjtën kohë”, tha Borrell.
Një dokument që ishte objekt diskutimi midis ministrave të BE-së sugjeron se Serbia pritet të vendosë për zgjedhjen e saj strategjike.
“Serbia pritet të mos lërë asnjë dyshim në zgjedhjen e saj strategjike për integrimin evropian dhe përkushtimin ndaj vlerave të BE-së në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nevojitet një angazhim i plotë për reformat e përshpejtuara në lidhje me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Serbia është çelësi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në dokument.
Lexo më shumë këtu