Dy raporte për procesin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë votuar me shumicë dërrmuese të enjten në Parlamentin Evropian.
Nga 599 deputetë evropianë, 519 votuan pro raporteve.
Raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, deklaroi Santos, transmeton REL.
Dy progres raportet vlerësojnë përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Parlamenti Evropian i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit me këto dy vende.
Raportuesja e PE-së për Shqipërinë, Isabel Maria Santos gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.