Serbia është pajtuar që të arrij një kontratë të re me Rusinë për t’u furnizuar me gazin rus edhe përgjatë tre viteve të ardhshme.
Marrëveshja është arritur pas një telefonate mes Presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
“Kemi rënë dakord që të nënshkruajmë elementin e parë të kontratës trevjeçare, që është jashtëzakonisht e përshtatshme për palën serbe dhe se platforma do të mbetet e njëjtë, pra çmimi do të jetë shumë i favorshëm”, ka deklaruar Vuçiq.
Pas kësaj, ka reaguar Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili shpërndau lajmin në rrjetet sociale me komentin se Putin dhe Vuçiq tani ‘arrijnë marrëveshjet përmes bisedave telefonike’.
Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian ende nuk ka një reagim zyrtar rreth këtij zhvillimi por siç raporton KOHA në BE “janë të zhgënjyer” me afrimin e Serbisë me Rusinë.
Megjithatë, deri tani në Bruksel nuk janë përmendur sanksione konkrete me të cilat mund të përballet Beogrdi.
Lexo më shumë këtu