Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit ka filluar procedurat që lumi Vjosa dhe degët e tij të futen në kategorinë e një Parku Kombëtar.

Një Memorandum Mirëkuptimi nënshkruar të hënën me organizatën amerikane “Patagonia” thotë se palët angazhohen për të punuar së bashku për përfshirjen e lumit Vjosa në kategorinë e një “Parku Kombëtar”.

Brenda 45 ditësh, parashikohet të ngrihet grupi i punës, që do të hartojë një propozim të plotë dhe profesional për statusin e Parkut Kombëtar, përmes zonimit dhe përcaktimit të kufijve të tij, konsultimin me palët e interesit dhe shqyrtimin e mundësive të zhvillimit të ekoturizmit, transmeton VOA.

Drejtuesi i organizatës “Patagonia” Ryan Gellert, u shpreh gjatë fjalës së tij se “ajo që kemi këtu, me lumen Vjosa, është diçka realisht unike sepse kemi degë të paprekura, që krijojnë një sistem lumor që nuk ka të ngjashëm në Europë”. Ndërsa për kryeministrin Edi Rama, vizioni për të ardhmen është, “të ndërtohet një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë.”

Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, me një gjatësi 272 kilometra që shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Sipas autoriteteve shqiptare, “këto vlera ekologjike dhe kulturore ofrojnë mundësi të mëdha për ekoturizëm dhe përfitime të tjera ekonomike për njerëzit që jetojnë në këtë rajon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *