Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor ka dëgjuar deklarata pozitive për liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave”, ka thënë Osmani pas përfundimit të samitit, transmeton REL.
“Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.
Ndërsa Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se shpreson që tonet nga ky takim të jenë frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.
“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnje e Hercegovinën”, tha ai.