Derisa udhëheqësit e G7-tës janë mbledhur për të biseduar rreth sanksioneve ndaj Rusisë, kjo e fundit ka sulmuar të dielën kryeqytetin ukrainas Kiev.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se disa shpërthime tronditën pjesën perëndimore të qytetit dhe se u goditën të paktën dy ndërtesa banimi, transmeton VOA.
Duke iu referuar të dhënave paraprake një ligjvënës ukrainas, tha se Rusia kishte lëshuar 14 raketa kundër Kievit.
Sulmi në kryeqytetin e Ukrainës u krye pas tërheqjes së trupave ukrainase nga qyteti lindor i Sievierodonetskut, një fitore e madhe për Rusinë pas disa javë luftimesh të ashpra.
Ndërkohë, Rusia nisi sulme me raketa anembanë Ukrainës të shtunën. Sulmet u raportua të jenë kryer nga hapësira ajrore bjelloruse, vetëm disa orë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të takohej me presidentin bjellorus, Aleksandr Lukashenko në Shën Petersburg të Rusisë.