Agjencitë amerikane të zbulimit vlerësojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka të ngjarë të vazhdojë për një periudhë të gjatë, por se forcat ruse nuk ka të ngjarë që në një afat të shkurtër të jenë në gjendje të përparojnë përtej rajonit lindor të Ukrainës, tha të mërkurën zyrtarja më e lartë e shërbimeve amerikane të zbulimit.
Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines tha në një konferencë mbi kontrollet e eksporteve në Uashington se Rusia kontrollon rreth 20% të Ukrainës përgjatë një linje konflikti 1,100 kilometra të gjatë.
Zonja Haines tha se ka më shumë gjasa që konflikti, tani në muajin e tij të pestë, të “mbetet një luftë e rëndë në të cilën rusët do të bëjnë përparime të ngadalshme, por jo të mëdha”.
“Me pak fjalë, gjendja mbetet mjaft e zymtë,” tha zonja Haines, transmeton VOA.
Të mërkurën, Rusia nisi sulme të reja. Kryebashkiaku i Mykolaivit, një qytet afër Detit të Zi, tha se qyteti u godit nga tetë raketa ruse që shkatërruan një ndërtesë apartamentesh, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur pesë të tjerë.