Lista Serbe ka reaguar ndaj qëndrimeve të shprehura të enjten nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ambasadori Hovenier e ritheksoi të enjten qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
“Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, tha Hovenier.
Këto qëndrime ambasadori amerikan i shprehu pas takimit me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Pas kësaj, Lista Serbe ka lëshuar një deklaratë si reagim ndaj qëndrimeve të amasadorit amerikan.
“Në rastin e zëvendëspresidentit tonë me se duket Prishtina dhe z. Hovenier mendojnë se është e mundur të shpallet dikush fajtor pa vendim të gjykatës. Qytetarët tanë e kanë kuptuar se kjo deklaratë për Z. Radojiçiq është bërë për të vënë nën presion z.Radojiçiq, Listën Serbe dhe qytetarët serbë në përgjithësi në veri në momentin kur Prishtina po bën veprime të njëanshme dhe terror ndaj qytetarëve duarthatë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, transmeton KOHA.
“Këto pretendime nuk do të zbehin vendosmërinë për të mbijetuar dhe qëndrimin në këto zona duke respektuar kontributin që Z. Radojiçiq ka bërë”, është thënë më tej në reagim.