Siaps drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Shqipëri, Valter Memisha, gjuha shqipe është e kërcënuar nga fjalët e huaja.
Ai thotë se të folurit në shqipe standarde ka rënë në të gjitha nivelet.
“Kultura e të shprehurit në shqipe standarde në nivel shtetëror ka rënë, në nivel shkollor ka rënë, në nivel publicist ka rënë. Që nga ligjërimet e pushtetarëve në parlament, ministrave, deri te ligjërimet në shkollë.” thotë Memisha, transmeton ABCNews.
Ai thotë se projektligji i nisur që në vitin 2002 për mbrojtjen e gjuhës standarde me ligj duhet të hyjë në fuqi.
“Që ne të kemi mirëfunksionim të shqipes, që ne të kemi shtrirje të standardit.”
“Shqipja është 1500 vjeçare. Ka filluar procesi i krijimit të shqipes në shek. e IV deri në shekullin e VI-VII. Sot kanë hyrë shumë fjalë të huaja, pavarësisht se shqipja ka një fuqi të jashtëzakonshme krijuese, mjafton ti referohemi fillimit të shekullit XX se si ka ardhur letërsia latine, romake nga përkthyesi Koliqi. Të shohim sesi ka ardhur letërsia botëriore nga Fan Noli në kohën kur nuk kishim as gramatikë, as fjalor.” ka thënë Memisha.