Krerët e institucioneve të Kosovës kanë reaguar në lidhje me rastin e dyshimit se një vajzë 11 vjeçare është dhunuar nga disa persona në Prishtinë.
Gjatë ditës së hënë, në media janë publikuar fotografi të një prej të dyshuarve që dyshohet se ka dhunuar seksualisht vazjën në një park të kryeqytetit.
Në raportin e datës 29 gusht të Policisë së Kosovës thuhet se “ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur [dhunim] ndaj viktimës femër kosovare”, transmeton REL.
Në reagimin e tij, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se duhet të ketë “dënim meritor” për dhunuesit.
“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor”, ka deklaruar Kurti.
Në reagimin e saj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar “hetim rigorz” në lidhje me rastin.
“Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se ky rast ‘ka turpëruar të gjithë shoqërinë’.