Irani ka mohuar të ketë qenë mbrapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj sistemeve teknologjike të Shqipërisë.
Gjatë javës, Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin duke bërë të ditur se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të kryera gjatë muajit korrik në Shqipëri janë urdhëruar nga Irani.
Por, këto janë mohuar të enjtën nga Tehrani duke thënë se vendimi i shtetit shqiptar ishte “i pamatur dhe i nxituar, që është bazuar në insinuata të pabazuara”.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, vetë Irani ka qenë viktimë e sulmeve kiberbetike në infrastrukturë kritike, transmeton REL.
Ndërkohë, NATO ka konfirmuar se prapa sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, qëndron Republika Islamike e Iranit.
“NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive mbrojtëse kibernetike që t’i bëjë ballë dhe të kundërpërgjigjet ndaj veprimeve të tilla dashakeqe në të ardhmen”, u tha në njoftimin e NATO-s.