Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe drejtuesit të këtij institucioni, me lidhje me sulmet kibernetike të kryera gjatë muajit korrik.

Sanksionet e vendosura të premten u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Ky njoftim nga SHBA vjen pasi Shqipëria bëri të ditur për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti.

“Ne nuk do t’i tolerojmë aktivitetet kibernetike, gjithnjë e më agresive, të Iranit”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson, transmeton REL.

Ekipi i kërkimit të sigurisë kibernetike i kompanisë Microsoft ka marrë pjesë në hetimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Kompania tha se operacioni kibernetik iranian përfshinte kombinim të teknikave të spiunazhit digjital, fshirjes së të dhënave dhe operacioneve të informacioneve online.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *