Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të premten të vazhdojë sulmin ndaj Ukrainës, pavarësisht kundërofensivës së fundit të forcave ukrainase dhe paralajmëroi se Moska mund të intensifikojë sulmet nëse forcat ukrainase vënë në shënjestër termocentralet dhe infrastrukturën tjetër në Rusi.
Duke folur me gazetarët të premten pas pjesëmarrjes në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan, zoti Putin tha se “çlirimi” i të gjithë rajonit lindor të Donbasit në Ukrainë mbetët qëllimi kryesor ushtarak i Rusisë dhe se ai nuk sheh nevojë për ta rishikuar atë.
“Ne nuk jemi në nxitim” tha udhëheqësi rus, duke shtuar se Rusia ka dërguar vetëm ushtarë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, transmeton VOA.
Rusia u detyrua të tërhiqte forcat e saj nga zona të mëdha të Ukrainës verilindore javën e kaluar pas një kundërofensive të suksesshme ukrainase.
Operacioni i Ukrainës për të rimarrë kontrollin e disa qyteteve dhe fshatrave të pushtuara nga Rusia shënoi dështimin më të madh ushtarak për Moskën që kur forcat ruse u detyruan të tërhiqeshin nga zonat afër Kievit në fillim të luftës.
I pyetur për kundërsulmin e Ukrainës, zoti Putin u përgjigj: “Do të shohim se si do zhvillohet dhe si do të përfundojë”.