Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund t’i kushtëzohet Serbisë me kërkesën që ajo t’i bashkohet sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë.
Në një draft-raport për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga deputet socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Piculla, kërkohet që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe BE-së të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës.
Në këtë draft-raport po ashtu kërkohet që BE-ja të kushtëzojë fondet për Serbinë, përfshirë edhe ato të Planit për investime në Ballkanin Perëndim, në këmbim të harmonizimit të qëndrimeve të përgjithshme ndaj Rusisë si dhe të përparimit në fushën e sundimit të ligjit, vlerave dhe prioriteteve të bllokut evropian, transmeton REL.
Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Dokumenti i hartuar nga raportuesi Piculla kërkon që të pezullohet procesi i negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Turqisë në përputhje me kornizën negociuese, derisa Ankaraja të mos angazhohet përsëri me Brukselin dhe të dëshmojë përparim të qartë në reforma. Por, Parlamenti Evropian kërkon që me Turqinë të ketë “partneritet thelbësor në fushat e interesit të përbashkët”.