Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vitin e ardhshëm, kështu mendohet në qarqet diplomatike në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë ka thënë ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu.
“Në këtë situatë bashkësia ndërkombëtare kërkon të ketë një rezultat, duke u përcaktuar si duket në mundësinë e kalimit të një marrëveshje që do të obligonte të dy palët dhe do të sillte deri te normalizimi dhe njohja e ndërsjellë. Në këtë moment kjo është larg të shihet, por qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Evropë mendojnë se kjo mund të arrihet vitin e ardhshëm”, ka thënë Spahiu për KosovaPress.
Spahiu i vlerëson si “balona provuese” të gjitha draftet që po diskutohen rreth marrëveshjes finale dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Draftet që janë paraqitur së fundmi janë gjithashtu ‘balona provuese’ që vijnë nga burime që nuk janë të qarta. Kemi pasur edhe të kaluarën ‘non-papers’, apo letra jo zyrtare. Tani është një valë e re, gjermanët dhe francezët përgënjeshtruan se ata kanë përgatitur një draft të tillë. Mbetet e dyshimtë ky drafti i fundit.”
Lexo më shumë këtu