Kosova ka vendosur regjimin e vizave për të gjithë shtetasit rusë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin gjatë mbledhjes së mbajtur të premten, duke njoftuar se regjimi i vizave do të aplikohet për të gjithë shtetasit rusë pavarësisht llojit të pasaportave që posedojnë.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti, transmeton REL.

Më herët qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë.

“Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës”, tha zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *