Institucionet e Bashkimit Evropian nuk janë në dijeni nëse Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fillim të muajit tetor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se Parisi dhe Berlini i kanë propozuar që rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE të jetë më e shpejtë nëse Serbia pranon që të mos pengoj anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ekzistimi i një propozimi të tillë më pas u konfirmua edhe nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por ai tha se “nuk ka diçka përfundimtare që do të thuhet se ky është propozimi franko-gjerman”.
Ndërkohë, Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se nëse ekziston një propozim i tillë, atëherë BE-ja edhe “ndoshta mund të kontribuojë” në të.
“Siç e ka shpjeguar presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, ai e ka pranuar këtë propozim nga Franca dhe Gjermania, prandaj mendoj se për këtë çështje është më mirë të flasin Berlini dhe Parisi. Ne nuk jemi në dijeni të një propozimi të tillë. Natyrisht, nëse ka një propozim të tillë, ne do të ishim më se të interesuar për ta shikuar. Jo, vetëm për ta shikuar, por ndoshta ne do të mund edhe të kontribuonim”, tha Varhelyi gjatë një konference për media pas publikimeve të raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, transmeton REL.
Njohësit e çështjeve politike në Prishtinë dhe Beograd thanë për REL se një propozim i tillë Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur përmes këshilltarëve Plettner dhe Emmanuel Beaune, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.