Të enjten, Këshilli i Bashkimit Evropian ka filluar diskutimin për liberalizimin e vizave për kosovarët, derisa në fund të këtij diskutimi u bë e ditur se është “e nevojshme të qartësohen një numër temash të ndërlidhura me këtë proces”.

Diskutimet e hapura të enjten paraqesin fillimin e një numri procedurash dhe votimesh brenda strukturave të Bashkimit Evropian.  

Siç transmeton REL, zyrtarët e shtetit francez kanë propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë – ETIAS.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian nuk pritet të ketë ndonjë pengesë dhe nëse do të ketë pajtim edhe në këtë diskutim trepalësh, ai ka gjasë të konfirmohet nga ambasadorët formalisht në muajin nëntor.

Njohës të fushës në Kosovë thonë se ka shpresa për një vendim pozitiv.

“Pritshmëritë janë pozitive për faktin se kemi parë së fundmi deklarata shumë pozitive, posaçërisht nga Franca që ka dalë me qëndrim të përbashkët tash me Poloninë dhe Gjermaninë, duke kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne e dimë që deri tash Franca pak a shumë ka qenë problem, përveç shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Holandës”, ka thënë për VOA, Diona Grezda nga Grupi Ballkanik për Hartim të Politikave.

Ajo theksoi se tërë procedura nga ky diskutim e deri në përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, vlerësohet se mund të marrë tre deri në gjashtë muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *