Çmimi Sakharov për këtë vit është ndarë për “popullin e guximshëm të Ukrainës” për qëndresën e tyre në betejën kundër pushtimit rus.
Çmimi i përvitshëm ndahet nga Parlamenti Evropian dhe nderon individët dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat fundamentale.
“Ky çmim është për ata ukrainas që po luftojnë në terren. Për ata që janë detyruar të largohen. Për ata që kanë humbur familjarët dhe miqtë e tyre. Për të gjithë ata që janë ngritur dhe po luftojnë për atë që besojnë”, tha presidentja e PE-së, Roberta Metsola.
Në ndarjen e çmimit u deklarua se çmimi i ndahet “ukrainasve të guximshëm, të përfaqësuar nga presidenti i tyre, Volodymyr Zelensky, liderët e tyre të zgjedhur dhe pjesëtarët e shoqërisë civile”, transmeton REL.