I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrimin e automjeteve në veri të vendit me targat RKS është mirë të shtyhet.
Afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për qytetarët serbë që të bëjnë regjistrimin e veturave me targat RKS skadon në fund të muajit tetor.
“Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë, por ne duam ta zbatojmë në mënyrë paqësore që të mos ngrejë tensione dhe të mos na shpërqendrojë nga disa gjëra që duhet të bëjmë”, ka thënë Escobar.
Ai ka përmendur edhe një afat kohor, derisa ka thënë se ende nuk ka një përgjigje nga Qeveria e Kosovës.
“Nuk është sekret që kemi kërkuar një periudhë më të gjatë zbatimi dhe ne kërkuam edhe 10 muaj. Do të doja që kjo të ndodhte. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Kuintit. Dhe kjo sepse ne jemi vendet që mbështesim më shumë Kosovën. Ne nuk kemi marrë përgjigje nga pala kosovare, ne jemi ende në pritje”, ka deklaruar Escobar, transmeton Euronews Albania.