Ish-ambasadori gjerman në Shtetet e Bashkuara, Wolfgang Ischinger, e sheh si “çështje të urgjencës” që të arrihet një stabilitet rajonal në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk është në rregull që për 14 vjetet e fundit ne kemi bërë disa hapa të vegjël, por nuk kemi qenë në gjendje të merremi me çështjet e mëdha të stabilitetit rajonal. S’ka të bëjë kjo vetëm me Kosovën por me të gjithë rajonin”, ka deklaruar Ischinger në një intervistë për Gazeta Express.
Ai ka përshëndetur rifokusimin e kryeqendrave evropiane drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ka thënë se është e nevojshme krijimi i një “stabiliteti të përhershëm”.
“Është shumë mirë dhe shumë e rëndësishme që Brukseli, vendi im Berlini, dhe të tjerët që e kanë rifokusuar vëmendjen në Ballkanin Perëndimor. Unë gjithmonë kam thënë në të kaluarën nëse ne s’mund të ndihmojmë në krijimin e një stabilitet të përhershëm në këtë pjesë të Evropës, ne do të dështojmë misionin tonë themelor për krijimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë, sepse kjo është pjesë e Evropës”, ka thënë Ischinger.
Diplomati gjerman tha se shpreson që të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve në SHBA dhe BE të cilat do të mbahen në vitin 2024.