Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka deklaruar të enjten se shpreson që “shumë shpejt” të ketë një proces i cili do t’i dërgoj Kosovën dhe Serbinë në arritjen e një marrëveshjeje.
“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit.
Kancelari gjerman ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton REL.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”.
Por, ai tha se do të pranojë çfarëdo propozimi që bazohet në “vlera evropiane dhe demokratike” dhe që nuk cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.