Liderët e partive kryesore opozitare i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’u takuar dhe për të biseduar rreth situatës në veri të vendit.
Kryeministri Kurti të hënën u ka bërë ftesë liderëve të partive opozitare në vend për t’u takuar të martën në mëngjes.
“Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë për KOHA, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Temë diskutimi janë zhvillimet në vend, veçanërisht ato në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Lulzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka konfirmuar se Kryetari Lumir Abdixhiku do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.