Kanali shtetëror rus, Russia Today (RT), njoftoi të martën se ka nisur transmetimin online të programit në gjuhën serbe.

Lajmi është konfirmuar në Twitter nga kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, me mesazhin: “Ne e nisëm RT-në në Ballkan, sepse Kosova është Serbi”, transmeton REL.

Në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e RT-së në gjuhën ruse, thuhet se transmetimi i programit televiziv në gjuhën serbe do të fillojë në vitin 2024.

Më 1 mars, Bashkimi Evropian ka pezulluar transmetimin e disa mediave të mbështetura nga Rusia, përfshirë Russia Today. Blloku evropian ka sanksionuar edhe Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të RT-së në gjuhën angleze.

E lansuar më 2005 si Russia Today, është media shtetërore e Rusisë, e cila është zgjeruar në vazhdimësi. Aktualisht ka kanale në disa gjuhë përfshirë ato: angleze, franceze, spanjolle dhe atë arabe.

Pavarësisht operimit në platforma të ndryshme përreth botës, RT është përballur me goditje të mëdha muajve të fundit, pasi kompani të mëdha të teknologjisë kanë bllokuar kanalet e saj për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *