Vizioni i Evropës për solidaritet, kur u konceptua në mesin e shekullit të kaluar, ka dështuar dhe tani është një Evropë që sheh vetëm interesat ekonomike, ka deklaruar publicisti shqiptar Fatos Lubonja.
“Është një Evropë ku interesat ekonomike janë kryesore dhe politikanët janë kthyer në menaxherë të interesave ekonomike dhe jo vizionarët”, ka thënë Lubonja.
Në një intervistë për KOHA, ai tha se sheh dy plane sipas të cilave do të vazhdoj procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Plani A është plani që duket, ai që merr parasysh ata që janë aktorë kryesorë në këtë lojë, është Perëndimi, NATO, por edhe lojtarë tjerë më sekondarë, që ndikuan që Kosova të fitojë këtë pavarësi të cunguar. Është një plan për ta që është i ndërtuar mbi idenë se një futje në Evropë do të jetë një zgjidhje e kësaj sëmundje. Kjo na bën më të afërt, kufijtë nuk kanë rëndësi, minoritetet janë ura lidhëse e jo pretekst për luftë, të gjitha janë në diskursin evropian por janë edhe të rrezikuara në përgjithësi”.
Kurse, sipas planit B të Lubonjës, mund të ndiqen qëllimet e kamotshme që të dyja shtetet i kanë pasur prej kohësh.
“Plani B është plani që të realizojmë qëllimet tona, Serbia që një ditë Kosovën ta integrojë përsëri, dhe shqiptarët kanë projektet e tyre, ndoshta një ditë bashkohen me Shqipërinë. Jemi mes dy këtyre projekteve, nacionalist dhe evropianist, dhe lundrohet mes të dyjave pa një siguri për të ardhmen”.
Lexo më shumë këtu