Kampionati Botëror i Futbollit u hap të dielën në Katar, hera e parë që ai zhvillohet në një vend të Lindjes së Mesme dhe më i shtrenjti në historinë e tij.

Vendi mysliman u përball në prag të Kampionatit me një sërë kritikash për trajtimin e punëtorëve migrantë, të drejtat e komunitetit LGBT dhe kufizimet sociale.

Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani mbërriti në stadium së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, para një turme entuziaste dhe u ul së bashku me udhëheqës të tjerë arabë, transmeton VOA.

Princi i kurorës së Arabisë Saudite dhe presidentët e Egjiptit, Turqisë dhe Algjerisë, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ishin ndër udhëheqësit e pranishëm në një stadium në formë tende përpara ndeshjes së parë midis vendit organizator dhe Ekuadorit, që përfundoi 0-2 në favor të Ekuadorit.

Katari – i cili ka mohuar akuzat për abuzim të punëtorëve dhe diskriminim – dhe FIFA shpresojnë që vëmendja tani të kthehet në fushën e futbollit. Organizatorët kanë mohuar gjithashtu akuzat për rryshfete për të drejtat e organizimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *