Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka deklaruar të hënën se Kosova ka treguar gatishmëri që të pezullojë fazat e vendimit për targat.
Të hënën paradite, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë takuar në Bruksel nën ndërmjetësimin e Shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Nga ky takim palët nuk kanë arritur marrëveshje në çështjen e targave.
Sipas Ambasadorit Bajrami, Kosova ka ofruar një propozim që, sipas tij, çuditërisht është refuzuar.
“Në takimin urgjent të ftuar nga Josep Borrell, Kosova ka propozuar të pezullojë fazat e mëtutjeshme për targat, në këmbim që Serbia të ndalojë së lëshuari targa ilegale dhe Serbia të fillojë procesin e bisedimeve të bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania e Franca. Çuditërisht, kjo u refuzua”, ka shkruar Bajrami në Twitter.