Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pse ka refuzuar të hënën në Bruksel propozimin e Shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kurti ka thënë se ka refuzuar propozimin e Borrell pasi aty nuk përfshihej një dakordim që të ketë angazhim me urgjencë për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Propozimi ishte që ne ta pezullojmë vendimin për gjobitje dhe të vazhdojmë vetëm me qortimet, ndërkaq Serbia të ndalojë me prodhimin e targave ilegale. Por për neve natyrisht se është e papranueshme nëse kjo nuk shoqërohet për atë çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë”, ka thënë Kurti, transmeton Klan Kosova.

Ai e fajësoi shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Shpresoj që BE t’i rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *