Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Bruksel ku Kosova dhe Serbia nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për qështjen e targave.
Osmani ka thënë se Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është treguar i njëanshëm dhe nuk ka respektuar parimet e neutralitetit.
“Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja e Kosovës ka listuar pesëmbëdhjetë pika që, sipas saj, janë shkelur nga Serbia.
Të hënën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiq janë takuar në Bruksel nën ndërmjetësimin e kryediplomatit evropian Borrell, por në fund të takimeve nuk është arritur një marrëveshje.
Pas takimeve, Borrell ka deklaruar se propozimin e ofruar nga ai nuk e ka pranuar Kryeministri Kurti.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët.
Ai, po ashtu, tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.
“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian.