Përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar të dielën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe ajo në Beograd kanë kërkuar që barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës të largohen.
“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”, thuhet në deklaratë, transmeton KOHA.
“Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë përmes një deklarate ka kërkuar “që që të gjitha pengesat ilegale të çmontohen”.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një depërshkallëzim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara”, thuhet në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Ambasada britanike në Prishtinë dhe ajo në Beograd.